Secondary Adv

Pas statusit investitor strategjik, hapet tenderi 27 mln lekë për ekspertizën ligjore në Pashaliman

Korporata e Investimeve shpalli tenderin 27 mln lekë për ekspertizë në projektin “Pashaliman Laguna Eko Resort”.

Pas vendimit nr. 4, datë 15.07.2025, të Komitetit të Investimeve Strategjike, për dhënien e statusit “investitor strategjik”, Korporata e Investimeve Shqiptare ka shpallur një tender me procedurë të hapur, mbi kufirin e lartë monetar, për ofrimin e ekspertizës ligjore, financiare, teknike dhe mjedisore në kuadër të projektit të investimit “Pashaliman Laguna Eko Resort”.

 

Fondi limit i kontratës arrin në 27 milionë lekë pa TVSH ose rreth 278 mijë euro, ndërsa kohëzgjatja e saj është 8 muaj nga data e nënshkrimit. Afati i fundit për dorëzimin dhe hapjen e ofertave është caktuar më 8 tetor 2025, ora 12:00.

 

Ekofin.al raportoi i pari mbi vendimin e KIS për të miratuar me kusht statusin “Investim/Investitor Strategjik – Procedurë e Asistuar” për projektin “Pashaliman Laguna Eko Resort”, të propozuar nga kompania “Meta Resorts Albania” sh.p.k., e cila zotërohet 100% nga shtetasi italian Dante Mazzitelli.

 

Ky projekt parashikon një investim mbi 21 milionë euro dhe do të zhvillohet në një sipërfaqe prej 25 hektarësh në zonën e Pashalimanit dhe Lagunës së Orikumit, në Bashkinë Vlorë.

 

Projektimi është realizuar nga Archea Associati Marco Casamonti & Partners, një studio me reputacion të lartë, themeluar në Firence në vitin 1988. Koncepti projektues identifikohet me emrin “Lagoon Eco Resort”.

 

Sipas specifikimeve të tenderit të hapur sot nga AIC, operatori ekonomik duhet të dëshmojë kryerjen e shërbimeve të mëparshme të ngjashme me vlerë jo më të vogël se 39% e fondit limit objekt prokurimi, të realizuar gjatë tre viteve të fundit.

 

Për përvojën e mëparshme të realizuar me sektorin publik, operatori ekonomik do ta vërtetojë këtë shërbim duke paraqitur vërtetim për realizimin e plotë dhe të suksesshëm të kësaj kontrate dhe/ose faturat tatimore përkatëse, të plotësuara sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi, dhe të deklaruara në organet tatimore, ku shënohen datat, shumat dhe shërbimet e realizuara.

 

Kur shërbimi i ngjashëm është realizuar me subjekte private, operatori ekonomik do ta vërtetojë këtë shërbim duke paraqitur faturat tatimore përkatëse, të plotësuara sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi, dhe të deklaruara në organet tatimore, ku shënohen datat, shumat dhe shërbimet e realizuara, thuhet në dokument.

 

Operatori ekonomik duhet të vërtetojë se disponon staf të aftë për kryerjen e shërbimeve objekt të kësaj kontrate, për minimumin 5 ekspertë, që të plotësojnë kriteret profesionale, akademike dhe të eksperiencës në fushën ligjore dhe ekonomike, arkeologjike dhe restaurimit./ekofin.al


Më të lexuarat